PRISHTINE- Atifete Jahjaga është kundër planit të Ramush Haradinajt, i cili për të arritur koalicionin me PDK-në ka llogaritur si të mundshëm edhe zëvendësimin e presidentes. Ajo po u reziston skenarëve për rikonfigurimin e skenës politike, që ia rrezikojnë pozitën. "Koha ditore" shkruan se sipas një zyrtari pranë Presidencës, largimi para kohe i Jahjagës mund të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale. 

Në PDK pohojnë se plani i Ramush Haradinajt për t'u bërë kryeministër e Hashim Thaçi president është i vështirë për t'u realizuar. Sipas përfaqësuesve të kësaj partie, dëshira për të bërë koalicion me AAK-në është e madhe, mirëpo pa rrezikuar dhe vënë në diskutim postet e të parëve të shtetit. Ata i kanë cilësuar si jologjike pretendimet dhe kushtet e kryetarit të AAK-së, qëllimi kryesor i të cilit është të bëhet kryeministër. Vetë Hashim Thaçi është shprehur pozitiv sa i takon koalicionit, mirëpo nuk ka komentuar lidhur me kushtet që i rrezikojnë postin e drejtuesit të qeverisë. Ndërkaq, këto zhvillime zyrtarët e LDK-së po i përqeshin. Skenari i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, që në kuadër të marrëveshjes eventuale për koalicion me PDKnë t'i merret posti i presidentes Atifete Jahjagës, duke ia dhënë atë Hashim Thaçit, është kundërshtuar nga Presidenca. 

Një zyrtar i afërt me Jahjagën, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se pavarësisht përpjekjeve për rikonfigurim të skenës politike, presidentja nuk e ka në plan të japë dorëheqjen dhe as të lëshojë pozitën që e ka fituar në bazë të marrëveshjes PDK-LDKAKR. Gjithmonë sipas këtij zyrtari, Jahjaga do të pajtohet për largimin nga zyra vetëm nëse kompletohet reforma kushtetuese, shpallen zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale dhe bëhet pranim- dorëzimi i detyrës, pavarësisht se mandati i saj nuk ka përfunduar. Zyrtari ka nënvizuar se në një variant të tillë presidentja nuk do të kandidojë për të kërkuar votën e qytetarëve, por as nuk do ta çojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar shkurtimin e mandatit. Vetë presidentja nuk ka pranuar të bëjë asnjë deklaratë publike lidhur me këtë çështje, duke i injoruar të gjitha planet dhe diskutimet, të cilat nëse do të realizohen, do të bëjnë që ajo të humbasë detyrën.