Policia ka nisur hetimin për 12 persona, pas protestës së të martës para Bashkisë së Tiranës.

Uniformat blu bëjnë me dije se disa prej tyre akuzohen për prishje të rendit dhe qetësisë publike, ndërsa një 59-vjeçare për thirrje publike për veprime të dhunshme.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, procedoi në gjendje të lirë shtetasit:

D. B., 27 vjeç, R. D., 19 vjeç, A. P., 46 vjeç, K. B., 21 vjeç, S. L., 68 vjeç, S. B., 48 vjeç, G. S., 53 vjeç, B. Xh., 34 vjeç, E. K., 22 vjeç, T. B., 39 vjeç, K. B., 34 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”;

A. K., 59 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”,njoftoi policia.