Banorët e një pallati në lagjen nr.5 të Durrësit kanë protestuar sot para bashkisë për fatin e godinës, ku banonin deri para tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Ndërsa qytetarët prisnin rindërtimin e pallatit të tyre në po të njëjtin vend, përgjigja që kanë marrë sot në bashki i ka befasuar. Atyre u është komunikuar se do të sistemohen në lagjen e re që po ndërtohet në Spitallë. Por banorët deklarojnë se refuzojnë të sistemohen atje.

Një ankesë tjetër e tyre janë vonesat e shpeshta në kalimin e bonusit të qirasë, fakt ky që i vë në konflikt me qiradhënësit.

40 familjet e pallatit nr.32 prej 3 vitesh jetojnë në shtëpi me qira, pasi pallati i tyre i ndërtuar në vitet 70 pësoi dëmtime të pariparueshme nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.     

M.B.