Qytetarët e Vlorës dhe përfaqësues të organizatave mjedisore kanë protestuar ditën e sotme para Gjykatës së Lartë për aeroportin e Vlorës. Aktivistët akuzojnë autoritetet shtetërore dhe gjykatat për zvarritjen e një çështjeje me rëndësi kombëtare duke i lënë qytetarët dhe rajonin në pasiguri për të ardhmen e zhvillimit ekonomik.

Qytetarët theksuan se vonesat në realizimin e aeroportit kanë ndikuar negativisht edhe në mjedisin e rajonit, për shkak të projekteve të tjera që po përparojnë pa pasur një vlerësim të plotë të ndikimit mjedisor. Protestuesit e shohin këtë çështje si një test për efektivitetin e drejtësisë shqiptare dhe kërkojnë që zgjidhja e saj të mos shtyhet më tej, për të garantuar një të ardhme më të mirë për qytetin dhe qytetarët e tij.

“Ndërkohë që autoritetet premtojnë hapjen e aeroportit të Vlorës vitin që vjen, gjykatat vazhdojnë të zvarrisin këtë çështje jashtë afatit të përgjithshëm. Ne kemi të drejtë të besojmë që autoritetet dhe gjykata po e zvarrisin këtë çështje duke e vonuar vendimin dhe zhvillimin e saj.

Nëse gjykata e lartë sillet kështu me një çështje që ka profil të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar, atëherë çfarë ndodh me çështjet e tjera? Sa shpresë ka që qytetarët e lagunave dhe liqeneve tona të marrin një vendim nga drejtësia, pa pasur një aeroport që fluturon mbi to ose pa një gurore që po shkatërron mjedisin?

Duket sikur është vonuar, por asnjëherë nuk është vonë për të marrë përgjigje. Organizatat mjedisore, të cilat kanë kërkuar ndalim të punimeve, kanë dhënë argumente të forta pse duan një gjë të tillë. Pavarësisht se punimet kanë vazhduar, kjo ka shkaktuar dëme në atë moment. Pavarësisht kërkesave dhe vendimit që duhej marrë brenda ditës, ai është vonuar për muaj të tërë. Ne nuk e dimë sa kohë mund të marrë gjykata për një çështje të tillë, por patjetër është vonesë.  Nëse ata premtojnë se do ta hapin vitin që vjen, ndërkohë fluturimi i datës 8 është thjesht një shfaqje elektorale, pasi aty nuk ka as energji elektrike. Prandaj, ne kërkojmë nga qytetarët që të reagojnë”, thanë protestuesit.