Pritjet disa orëshe të qytetarëve të Durrësit për vulosjen e dokumentacionit për lejen e drejtimit vijonin edhe këtë të mërkurë, kur data shënon 1 mars.

Megjithëse prej disa orësh në radhë, qytetarët nuk ndihen të sigurt nëse do të mbarojnë punë brenda orarit zyrtar të punës së stafit të poliklinikës.

“Kam që në orën 09.00 që kam ardhur këtu, ora tani është 11.30. nuk e di nëse do të përfundoj punë deri në orën 14.00”, – thotë një qytetar.

“Jam duke pritur prej dy orësh. Ka shumë që hyjnë pa rradhë nga brenda dhe ne presim kot këtu përjashta që të mbarojmë punë”,- thotë një qytetar tjetër për “DurrësLajm”.

Situata e krijuar këto ditë, qytetarëve u duket anormale, ndërkohë që dyfishimin e çmimit të patentës e konsiderojnë absurd dhe të papërballueshëm për shumë familje.

Disa prej tyre nuk ngurojnë të thonë se rritja e çmimit po bëhet që shteti të rrisë të ardhurat, para fushatës së zgjedhjeve lokale.

“Më 14 maj kemi zgjedhjet. Duhen pak fonde. Mjerë për këtë popull. Që nga viti ’90 nuk ka shtet Shqipëria”.

“Nuk është normale. Ne s’jemi aq të pasur, që të paguajmë kaq shumë para”.

Në ndryshim nga një ditë më parë, burime spitalore konfirmojnë se sot vihet re një fluks më i pakët qytetarësh.

Rreth 350 vizita mjekësore janë realizuar në javën e fundit të muajit shkurt, 5-fish më shumë sesa vizitat që kryheshin para vendimit të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor për të dyfishuar çmimin e lejes së drejtimit.

Shumica e aplikantëve që janë dyndur këto ditë për të kryer vizitat mjekësore janë të rinj që aplikojnë për herë të parë, që preken drejtpërdrejtë nga kjo rritje e paralajmëruar për të hyrë në fuqi në muajin mars.

M.B.