Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të enjte punonjësit e Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”. Në nisje të fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se protesta para Gjykatës së Posaçme ditën e gjyqit të kryebashkiakut Erion Veliaj ishte gabim që edhe pse i pafajshëm, nuk duhet të përsëritet më.

“E kërkova këtë mbledhje me të gjithë ju sepse gjatë këtyre ditëve kam parë mes jush, por edhe mes shumë të tjerësh njerëz të prekur, njerëz të lënduar, të zhgënjyer, të dëshpëruar. Disa nga ju shkuan edhe te dera e Gjykatës Speciale për të protestuar ditën që kryetari i Bashkisë u la në burg pa gjyq.

Nuk dua t’i gjykoj keq, përkundrazi, e mirëkuptoj emocionin e tyre, por ishte një gabim, që sado i pafajshëm nuk duhet të përsëritet më as nga ju, as nga askush që punon për shtetin shqiptar në çfarëdo institucioni. Secili prej jush përfaqëson një skuadër të madhe, që në asnjë mënyrë nuk duhet të shfaqet në territorin e një pushteti tjetër të pavarur siç është sistemi i drejtësisë”, tha Rama.

Ai përsëriti edhe njëherë se Veliaj është në burg pa gjyq dhe kjo është e papranueshme.

“Kjo kambanë bie për ata që duan të dëgjojnë me statusin e të dyshuarit, por ende jo me atë të pandehurit, e lëre më pastaj me atë të fajtorit, çka është e papranueshme edhe logjikisht dhe çka është e pashpjegueshme për të gjithë ata çerek e ca milionë qytetarë që e kanë zgjedhur kryetarin e Bashkisë që të rrijë në zyrë dhe jo të mbyllet brenda pa gjyq”, tha Rama.

Ndër të tjera Rama tha se Partia Socialiste e ka transformuar.