Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij gjatë një takimi me asambletë socialiste në njësitë 5, 6, 13 dhe 14 tha se garantimin e SPAK dhe të një drejtësie të pavarur e garanton vetëm Partia Socialiste.
Ai shtoi se nëse do të ishte kundër SPAK, “bufi i kënetës” dhe ushtria e tij do të vinte me një fishkëllimë për ta shkrirë.
Rama u ndal edhe tek çështja e 21 janarit, teksa deklaroi se është nga ato krime që nuk ndëshkohen shpejt, por nuk harrohen kurrë dhe një ditë paguhen.
Rama: Kush e mban SPAK-un tani aty, meqenëse e mbante Amerika? E keni dëgjuar bufin e kënetës që do ta shkrijë. Një fishkëllimë bufit dhe e di si vinte. Me zhaba, me bretkosa, me gjithë ushtrinë nga mbrapa për të shkrirë SPAK-un. Por kjo nuk ndodh.
Unë ua kam thënë me kohë, 21 janari është nga ato krime që nuk ndëshkohen shpejt, por nuk harrohen kurrë dhe një ditë paguhen. Vetëm thonë këtë: “Burg, burg, hajdut, hynë gjithë në burg, s’ka më”. Si s’ka më? Dy ministra të dënuar. Mund të ishin dhe më shumë dhe prapë nuk duhet të thoshte fare që ne duhet të trajtohemi si njerëzit që duhet të paguajmë, se hapëm kapakun e një pusetë që ishte mbyllur.
Duhet të na tregojnë një forcë tjetër politike, që nga 1912-a, që ka bërë këtë që kemi bërë ne. Unë dua që kjo do të vazhdojë, Erioni do që kjo të vazhdojë. Bufi e ka thënë copë: “Do ta shkrijë”. Kush e garanton? Këtë e garanton vetëm PS. E garanton PS dhe e blindon futjen në BE. Rezultatet po i thotë BE dhe ndërkohë drejtësia do të bëjë gabimet e veta. Është 5 vjet e pak histori. Shqipëria ka qeveri që nga 1912-a, ne prapë e kemi qeverinë si institucion të ri. Llogariteni tani që drejtësia është një institucion i ri i pavarur dhe njerëzit e saj kanë shumë pak kulturë evropiane.
Një gabim i Bashkisë X në mbjelljen e pemëve, në vend që t’i mbjellë brenda sezonit, i mbjell më vonë, than 100 pemë. Ndërsa një gabim i drejtësisë kushton jetë njerëzish. Kur e perceptojmë që u shkel, është edhe dhimbje. Por kjo është politika, duhet ta përballojmë. Këto janë kosto, përndryshe kthehu aty ku ishe.