Punimet në godinën e parkimit të ri publik, në afërsi të stacionit të trenit në Durrës vijojnë me ritme të kënaqshme. Aktualisht janë realizuar 50% e volumit të punimeve, ndërkohë që pritet të hedhin shtat edhe 3 katet e tjera.

“Kemi betonuar 3 kate, kemi edhe 3 të tjera përfshirë këtu katin metalik që është me panele diellore. Mund të them që jemi fiks në mes. E prisja më keq këtë kantier duke qenë se jemi pak ngushtë me Stacionin e Trenit dhe rrugën kryesore, por deri tani kemi ecur shumë mirë”,- thotë për “DurrësLajm” drejtori i kantierit Redi Sefa.

Ky investim publik, i financuar nga qeveria Rama, kap vlerën 504 milionë lekë dhe në përfundim të tij qyteti i Durrësit do të përfitojë një godinë parkimi me 6 kate, rreth 400 vende parkimi, hapësira për biçikletat, karikues elektrik për mjetet elektrike si dhe hapësira të tjera funksionale si zyra dhe salla për aktivitete të ndryshme. Sipas drejtorit të kantierit, Redi Sefa, punimet pritet të përmbyllen brenda pak muajsh.

“Struktura duhet të përfundojë në mes të muajit korrik, punimet e tjera që janë për zyra dhe pjesën teknike, elektroteknike mund të përfundojnë në tetor. Do të ketë një ndërhyrje të vogël përsa i përket trafikut rrugor, sepse në hyrje dhe dalje të parkimit krijohet një kryqëzim, që do të menaxhohet nga bashkia”,– deklaroi Sefa.

Kati më i lartë i parkimit publik do të pajiset me panele diellore. Ky do të jetë parkimi i parë me kate në Durrës dhe pritet të zbusë disi problematikën e theksuar që konstatohet në qytet prej kohësh.

M.B.