Ndryshimet e reformës territoriale u sollën sot në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, të drejtuar nga deputeti socialist Ulsi Manja.

Deputetët opozitarë të Partisë Demokratike edhe një herë u shprehën kundër projekt propozimit të PS-së që redukton bashkitë e vendit nga 61 në 46.

Ishte deputeti Arjan Ndoja ai që i pari kërkoi ndërprerjen e kësaj mbledhje për mosrespektim të saj nga ana e mazhorancës dhe Ulsi Manjës. Kjo pasi në Komision, në ulëse, nuk ishin ftuar qytetarë dhe kryebashkiakë të bashkive që preken nga ndryshimet, për të cilët Ndoja tha se po presin jashtë.

Ndërkaq Tritan Shehu edhe ai kërkoi ndërprerjen e mbledhjes pasi komisioni i reformës territoriale nuk respekton kushtin mbi të cilin u ngrit, atë të komisionit bipartizan PD-PS.

“Ndërpresim mbledhjen. Bashkojmë materialet. Ecim me frymën bizpartizane ecim me frymën e parlamentit kur miratuam komisionit të reformës territoriale”, u shpreh Shehu.

Sakaq, edhe deputeti Luçiano Boçi bashkëkryetar për Reformën Territoriale, theksoi se propozimi i PS është antikushtetues pasi nuk ka marrë asnjë mendim nga popullata që preket nga ndryshimet.

“Këtu jemi dhe mbledhjen e kaluar bëmë debat për procedurën që duhet ndjekur nga PD. Kryetari grupit tuaj shprehej se propozimi i PD do ndjekë të njëjtën rrugë sikurse propozimi që ndjek PS. Edhe ju jeni për ndjekjen e kësaj rruge. Pas miratimit të kësaj faze të parë, të bashkohen, të merret marrja e mendimit nga këshilli bashkiak nga bashkitë që preken dhe të nisim me procedurat parlamentare. Vetëm kështu respektohet kushtetuta dhe ligji për vetëqeverisjen vendore. Nisma juaj antikushtetuese. Duhet të vinte me mendimin e popullatës. Para se të depozitohet nisma. Tani që e depozituat e quani fakt të kryer”, theksoi Boçi.