Nga konferenca ndërkombëtare për Shkenca Natyrore, Matematikë dhe Teknologji, rektorja, Kseanela Sotirofski, dha lajmin e mirë se Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit është bërë pjesë e thirrjes më të madhe të Bashkimit Evropian, për Aleancën Evropiane Stars EU.

Jemi bërë pjesë e Aleancës Stars EU në të cilën bëjnë pjesë 8 universitete evropiane dhe buxheti që presim të marrim nga BE është 14 milionë euro në vitet në vijim. Qëllimi i këtij projekti është unifikimi i programeve, unifikimi i procedurave akademike dhe administrative me 8 universitete partnere, me të cilat jemi pjesë në alesancë”,– tha rektorja Sotirofski.

Konferenca ndërkombëtare e mbajtur sot në UAMD kishte për qëllim të bashkonte të gjithë studentët, doktorantët, akademikët, inxhinierët dhe shkencëtarët që punojnë në vende të ndryshme për të diskutuar çështje teorike dhe praktike në të gjitha fushat e shkencave natyrore.

“Në kohën kur përparimi shkencor është më i shpejtë se kurrë më parë, bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit janë thelbësor për të ecur përpara. Temat e kësaj konference janë ndër më të rëndësishmet, pasi teknologjia, shkencat natyrore dhe matematika janë fushat më të rëndësishme të studimit shkencor”,- tha gjatë fjalës së saj dekania Lindita Mukli nga FTI.

Shumë nga pjesëmarrësit në konferencën e organizuar nga Fakulteti i Studimeve Profesionale dhe ai i Teknologjisë së Informacionit prezantuan studimet e tyre, si dhe shkëmbyen dhe ndajnë ide me njëri-tjetrin, sidomos me studiuesit me të rinj.

M.B.