Studentë të Fakultetit të Biznesit, në UAMD, që ndjekin programin e studimit “Ekonomia qarkulluese dhe zhvillimi i qëndrueshëm”, patën mundësi të ndiqnin një leksion të hapur me një nga pionerët e industrisë ricikluese, Bardhyl Balteza.
Për rreth një orë, biznesmeni Balteza tregoi para studentëve rrugëtimin e biznesit të tij, vështirësitë e kaluara përgjatë viteve, por njëkohësisht u ndal edhe tek rëndësia që ka në ditët tona industria ricikluese. Duke iu referuar programit të BE-së për Ekonominë Qarkulluese, biznesmeni Balteza renditi para studentëve përfitimet në aspektin ekonomik dhe mjedisor të vendit tonë nga procesi i riciklimit, por njëkohësisht nënvizoi faktin se mungojnë profesionistët e fushës.
“Unë mendoj se duhet të fillojë që nga shkolla, që nga edukimi, sepse pa shkollë nuk bëhet asgjë. Ne fatkeqësisht sot nuk kemi as specialistë, që mund t’i marrim në punë. Kërkojmë inxhinierë elektronikë, nuk i gjejmë. Kërkojmë inxhinierë mekanikë, nuk i gjejmë. Këto janë probleme të mëdha për industrinë shqiptare, për të gjithë industrinë, jo vetëm për ne”,- tha biznesmeni Bardhyl Balteza.
Hapja e këtij programi studimi, risi për këtë vit akademik, synon të përgatisë për vitet e ardhshme profesionistë të zotë në këtë fushë.
“Ky program është një ri. Është hapur për vitin akademik 2024-2025. Kemi pasur një numër jo shumë të lartë të studentëve për shkak të informacionit. Shpresojmë që vitet në vijim të kemi një numër më të lartë të studentëve. Kemi pasur studentë me mesatare shumë të mirë, që kanë aplikuar në këtë program të ri studimi”,– thotë Alma Zisi, shefe e Departamentit të Shkencave Ekonomike, pranë Fakultetit të Biznesit, në UAMD.
Në të njëjtën kohë, Fakulteti i Biznesit po harton një projekt me të cilin synon të marrë grante të BE-së për ta çuar edhe më tej këtë sipërmarrje akademike.
“Së bashku me departamentin e “Shkencave ekonomike” në Fakultetin e Biznesit kemi nisur të shkruajmë një projekt, që fokusohet në “Ekonominë qarkulluese dhe zhvillimin e qëndrueshëm”. Projekti ka nisur për të plotësuar më tej lidhur me këtë profil të ri të ekonomisë qarkulluese si dhe për të krijuar mundësi të reja për përfshirjen e studentëve”,- bën të ditur Klarita Prendi nga Drejtoria e Projekteve.
Mbrojtja e mjedisit është një prioritetet kryesore për Bashkimin Evropian vitet e fundit dhe Shqipërisë do t’i duhet të përshpejtojë ndjeshëm të gjitha përpjekjet për zbatimin e standardeve mjedisore të BE-së.
M.B.