Nis largimi i grumbujve me leshterik nga shëtitorja “Taulantia”. Mjetet e Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal kanë nisur që nga mbrëmja e së martës punën për sistemimin e kësaj hapësire publike dhe krijimin e të gjitha kushteve të përshtatshme për funksionimin e saj si plazh publik.

Krahas largimit të leshterikut, po punohet edhe për sistemimin e sasisë së rërës të sjellë në shëtitore nga zonat ranore të Rrushkullit dhe Sektorit Rinia.

Gjatë muajve të verës, kjo hapësirë kthehet në plazh publik, që frekuentohet zakonisht nga mosha e tretë dhe banorët e pallateve përreth.

Sipas burimeve nga NSHK, gjatë fundjavës do të procedohet me plugimin dhe dezinfektimin e rërës në shëtitore me qëllim që duke nisur nga java e ardhshme e gjithë kjo sipërfaqe ranore të jetë gati për të pritur pushuesit.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se në ditët në vijim do të nisë procesi i dezinsektimit i lagjeve të qytetit bregdetar me qëllim parandalimin dhe asgjësimin e insekteve fluturuese, si mushkonja, miza etj.