Reshjet e shiut të 24 orëve të fundit kanë krijuar një situatë të rënduar në Njësinë Administrative Sukth, më saktësisht në zonën e Vadardhës, në bashkinë Durrës.

Si pasojë e reshjeve të dendura, niveli i lumit Erzen është rritur ndjeshëm, ndërkohë që rreth 4 hektarë me tokë bujqësore në këtë zonë janë mbuluar nga uji.

Situata është kritike edhe në urën e Vadardhës, ku siç duket nga videot e mbërritura në redaksinë tonë, niveli i ujit ka arritur deri në lartësinë e urës, ndërsa rreth e qark saj janë mbledhur pirgje me mbetje urbane të sjella nga rrjedha e lumit.

Prefekti i qarkut, Emiljan Jani, bën të ditur për “DurrësLajm”,  se situata është nën monitorim të vazhdueshëm nga Emergjencat Civile, të cilat janë duke u përgatitur edhe për evakuimin e familjeve dhe dërgimin e tyre pranë ambienteve të Konvaleshencës, nëse në orët në vijim do të ketë rritje të mëtejshme të nivelit të lumit dhe uji do të depërtojë deri në banesat e qytetarëve.

Situata paraqitet kritike dhe në zonën e Krujës, më saktësisht në Bubq, ku janë përmbytur 10 hektarë tokë bujqësore.

Ndërkohë, për shkak të reshjeve të dendura të dëborës në malësitë e Krujës, borëpastrueset janë angazhuar për hapjen e aksit Cudhi – Qafë Shtamë, për të garantuar qarkullimin normal të automjeteve.

M.B.