Këngëtarja e famshme Rihanna ka shkruar një tjetër kapitull historik në industrinë muzikore, duke u bërë gruaja e parë me ngjyrë që arrin 20 këngë me mbi një miliard dëgjime secila në platformën Spotify.

Sipas listës së publikuar nga Genius, suksesi i artistes shtrihet në më shumë se dy dekada karrierë, duke përfshirë hitet e saj më të mëdha solo, por edhe bashkëpunimet që kanë lënë gjurmë në historinë e muzikës pop.

Në krye të renditjes qëndron hiti legjendar We Found Love me mbi 2.5 miliardë dëgjime, i ndjekur nga This Is What You Came For me më shumë se 2.3 miliardë dhe klasiku Umbrella që ka kaluar shifrën e 2.2 miliardë dëgjimeve.

Në listën e hiteve më të dëgjuara renditen edhe baladat ikonike si Love on the Brain, Stay dhe Diamonds, të cilat vazhdojnë të mbeten ndër këngët më të pëlqyera të artistes.

Po ashtu, sukses të jashtëzakonshëm kanë shënuar edhe këngët ritmike që dominuan skenat muzikore botërore si Only Girl (In the World), Don’t Stop the Music, S&M dhe Work, të gjitha me më shumë se 1.7 miliardë dëgjime.

Rekordi historik u kompletua edhe nga bashkëpunimet e njohura me Eminem në këngët The Monster dhe Love the Way You Lie, si dhe nga projektet Wild Thoughts, FourFiveSeconds dhe Too Good.

Ndërkohë, këngët që së fundmi kaluan pragun e një miliard dëgjimeve dhe vulosën këtë arritje të jashtëzakonshme janë Disturbia, Pon de Replay dhe Bitch Better Have My Money.

Ky rekord konfirmon edhe një herë ndikimin e jashtëzakonshëm të Rihanna-s në muzikën globale, duke e vendosur atë mes artisteve më të suksesshme të të gjitha kohërave në epokën e transmetimit digjital.