Ndërhyrje në infrastrukturën rrugore të zonës së Currilave. Kjo është ajo çfarë po planifikon bashkia Durrës me tenderin më të fundit.

Bashkia po akordon rreth 37 milionë lekë të reja për rikonstruksionin e rrugës “Currila” në një pjesë të saj, pikërisht në segmentin hotel Ferrara – Guest House.

Kompanitë e interesuara kanë afat deri më 6 qershor që të paraqesin dokumentacionin e kërkuar, ndërkohë që fituesi, pas realizimit të punimeve që pritet të zgjasin 72 ditë, do të ketë një garanci 2-vjeçare për të mbuluar difektet që mund të lindin gjatë shfrytëzimit të objektit.

Aksi rrugor në këtë pjesë që është planifikuar ndërhyrja është në gjendje mjaft të degraduar, nuk ka trotuare dhe asnjë element urban,

Siç shkruhet në dokumentet e tenderit “rruga ka pjesërisht kanalizime të ujërave te bardha (ujërave atmosferike) si dhe ka pjesërisht një sistem të ndriçimit rrugor. Rruga nuk ka kanalizime të ujërave të zeza dhe të vetmet rrjete ekzistuese janë atë ajrore të energjisë elektrike”.

Në këtë zonë, vitet e fundit janë ngritur dhe po vazhdojnë të ngrihen hotele dhe komplekse turistike, por rruga për të shkuar tek ata lë shumë për të dëshiruar.

Megjithëse prej vitesh është folur për projekte për zonën e Kallmit, aty nuk është kryer ende asnjë ndërhyrje në infrastrukturën rrugore.

Ndoshta për këtë arsye, ajo ka mbetur akoma një zonë e virgjër, me vetëm pak ndërtime, kryesisht prej druri, krejt ndryshe nga masakra urbane që ka ndodhur në 30 vitet e fundit përgjatë vijës bregdetare të Durrësit.

Frekuentimi i plazheve ranore dhe shkëmbore në zonën e Kallmit mbetet një aventurë më vete, për shkak të rrugës në gjendje mjaft të degraduar.

M.B.