Bllokohet lëvizja e mjeteve në një pjesë të bulevardit “Dyrrah”.

Shkak janë bërë punimet që po realizohen për rikonstruksionin e tij.

“DurrësLajm” mëson se bllokimi i qarkullimit të automjeteve do të vazhdojë për rreth 5-7 ditë.

Ndërhyrja për zëvendësimin e gurëve dekorativë nuk do të realizohet përgjatë gjithë gjatësisë së bulevardit, por vetëm në një segment të tij, pranë bustit të martirit të demokracisë, Azem Hajdari.

Kjo është ndërhyrja e disatë në këtë bulevard, që nga investimi i parë i realizuar në të në vitin 2011.

Dëmtimi i vazhdueshëm i gurëve dekorativë që janë përdorur për shtrimin e tij, sjell si pasojë “shkepjen” e këtij aksi thuajse çdo dy vjet.

I ndërtuar mes shumë polemikave për shkak se projekti i tij ngushtonte gjerësinë e rrugës për qarkullimin e makinave (që më pas u mor si shembull për një numër të konsiderueshëm aksesh në qendër të Durrësit), ky investim nuk rezulton si më i suksesshmi në infrastrukturën rrugore të Durrësit.

M.B.