Kryedemokrati Sali Berisha komentoi rinumërimin qe po vijon me votat e Tiranës duke thënë se ishte kërkesë e kandidatëve dhe jo e partisë, e cila ka të tjera pretendime për zgjedhjet.
“Çështja e numërimit të votave është kërkesë e kandidatëve e mbështetur nga PD për transparencë. Të paktën kjo është e 5-ta herë që para jush sqaroj. Nuk është një kërkesë primare e PD-së, jo. Jo dhe jo. Ta ketë të qartë çdo njeri. Kërkesa e PD ka të bëjë me legjitimitetin e zgjedhjeve dhe unë mund t’ju them se, tre janë linjat kryesore të kontrollit që ne bëjmë”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se Partia Demokratike ka dërguar te ndërkombëtarët raportin për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ndonëse sipas tij, nuk është përfunduar.
“Raporti për farsën elektorale është në tërësi gati, shkeljet i janë dërguar institucioneve që vëzhguan zgjedhjet”, tha ai.
Në daljen e tij të parë në media pas një mungese disa ditore Berisha denoncoi atë që e quajti lidhte të deputetit të sapo zgjedhur të Durrësit për socialistët Arkend Balla me bandat.
“Farsa elektorale e 11 Majit 2025, kishte si njërin nga tiparet më kardinale, rolin përcaktues të karteleve të drogës dhe organizatave kriminale.
Është bërë i njohur, i famshëm përfaqësuesi i kartelit Troplini, kartelit më të madh të kokainës në Europë, pas spostimit nga vendet e tjera dhe zotërimit nga ky kartel të portit të Durrësit.
Përfaqësuesi i këtij karteli dhe Edi Ramës, Arkend Balla, i parashikuar si ministër i Brendshëm, njeriu që mori 5200 vota më shumë se Edi Rama në qarkun e Durrësit, është i lidhur shpirt dhe xhep me këtë kartel“, tha ndër të tjera Berisha.
Në fund ai shpjegoi se përse nuk kishte qenë aktiv gjatë këtyre ditëve.
“Unë një ditë po pata problem shëndetësor, unë njoftoj publikun. Kisha një gjendje virale e cila kaloi pa asnjë ndërlikim të veçantë. Kjo është”, u shpreh kreu i PD.