“Boom” makinash nga Koreja e jugut në portin MBM në Durrës.

Muajt e fundit konstatohen shifra gjithnjë në rritje përsa i përket anijeve Roll-on/Roll-off (RoRo), të dedikuara për transportin detar të mjeteve.

“Ka qenë një lloj eksperimenti me 300+ makina nga Koreja e Jugut me destinacion Shqipërinë dhe porte të tjera në rajon e Europë”, tregon për “DurrësLajm” Luis Bekteshi, menaxher operacional në portin MBM, ndërsa shton se “momentalisht janë diku tek 3050, 3100 makina që kanë mbërritur në port. Me të dhënat që kemi ne parashikohet që deri nga fundi i majit të kalojë shifrat 5500-6000 automjete.”

Kjo është hera e parë, që anije “RoRo” vijnë në Shqipëri vetëm me automjete dhe është një risi po ashtu lundrimi Kore e Jugut-Durrës për biznes.

Luis Bekteshi sqaron se “më parë kanë shërbyer tragetet, siç është rrugëtimi Itali-Shqipëri, që sjellin edhe automjete, por kanë edhe pasagjerë, ndërkohë që anijet që kanë ardhur deri më tani janë anije vetëm për automjete me destinacion final Durrësin.”

“Me roro është më e shpejtë, pasi çdo dy javë makinat janë këtu. Me kontejner zgjat më shumë, sidomos tani me bllokimin e kanalit të Suezit, që rrugëtimi i kontejnerëve është më i gjatë dhe ka sjellë një rritje të çmimeve”, thotë menaxheri ndër të tjera.

Rritja e këtij fluksi mund t’i atribuohet disa faktorëve.

“Ka shumë tregtarë që kanë vite që punojnë me Korenë e Jugut, pasi cilësia e automjeteve është shumë e lartë, mirëmbajtja, pra janë në gjendje shumë më të mirë sesa makinat që blihet në Europë dhe në çmim janë më lirë”, analizon Bekteshi.

Ardhja e këtyre anijeve ka krijuar mundësi punësimi në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë logjistikën, magazinimin dhe shitjen me pakicë të automobilave, si dhe ka zgjeruar zgjedhjen e konsumatorëve, duke nxitur konkurrencën dhe inovacionin në tregun vendas.

K.Gj.