Është e pesta herë që zona përreth një pallati 15 katësh, përballë me Muzeun Arkeologjik Durrës, rrethohet nga Policia Bashkiake me shirirat e sigurisë.

Shkak është bërë rënia e copave të suvasë nga fasada e godinës shumëkatëshe në trotuar.

Siç duket dhe nga fotot dhe videot e mbërritura në redaksinë e “DurrësLajm”, copat e suvasë janë në përmasa jo të vogla dhe mund të shkaktojnë një tragjedi,, nëse fatkeqësisht dikush kalon në trotuar në ato momente.

Dëshmitarë në vendngjarje rrëfejnë se situata përsëritet herë pas here, por masa konkrete nuk janë marrë asnjëherë.

“Për çdo herë rrethohet trotuari, qëndrojnë shiritat 2-3 ditë dhe më pas asgjë. Askush nuk vjen të ndërhyjë dhe ne kalojmë me frikë, sa herë na duhet të përshkojmë këtë trotuar. Është e paimagjinueshme si nuk merret asnjë masë. Mund të lëndohet dikush!!!”,– na shkruan një banor i zonës.

Duket se fasada e pallatit shumëkatësh ka nevojë për rikonsttruksion, sepse është amortizuar dhe herë pas here copa të saj shkëputen dhe bien.

Fati deri më tani i ka ruajtur kalimtarët…