Një pishë dekorative është rrëzuar gjatë natës në oborrin e Xhamisë së madhe të qytetit.
Pisha, e cila ndodhet pranë godinës së PS-së lokale, është shumëvjeçare dhe sipas burimeve nga Agjencia e Parqeve Urbane Durrës është thyer prej erës dhe motit të keq, por fatmirësisht, për shkak të orës së vonë, nuk ka pasur persona të lënduar.
Punonjësit e kësaj drejtorie janë anagazhuar gjatë paradites së sotme për zhvendosjen e pemës dekorative, e cila e përfundoi ciklin e saj jetësor.
Kjo është hera e dytë brenda dy muajsh, që pemët dekorative thyhen në Durrës.
Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, një palmë dekorative në bulevardin “Epidamn” u thye nga moti i keq dhe shkaktoi disa dëme materiale. Ndërsa vetëm pak ditë më parë, një shtyllë u këput dhe ra mbi një automjet në bulevardin “Epidamn”.
Për shkak të erës së fortë, ditën e diel, Kapiteneria e portit të Durrësit pezulloi lundrimin e trageteve të linjës Durrës – Bari dhe anasjelltas. Lundrimet mes dy brigjeve të Adriatikut do të rinisin mbrëmjen e sotme.
M.B.