Me rastin e 7 Marsit, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi kanë qenë sot pranë mësuesve dhe nxënësve të shkollës së mesme të përgjithshme “Dhosi Liperi” në Sukth.

“Dhosi Liperi” është një shkollë e re e sapopërfunduar, mundësuar nga programi EU4Schools, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP.

Në njësinë administrative Sukth janë ndërtuar 5 godina të reja arsimore në vitet e fundit duke përmirësuar në mënyrë të ndjeshme standartet e mësimdhënies.

“Vetëm në njësinë administrative Sukth janë ndërtuar 5 shkolla të reja, 4 nga procesi i rindërtimit dhe një tjetër me buxhetin e bashkisë. 2 prej këtyre godinave arsimore janë shkolla të mesme”,- tha ndër të tjera kryebashkiakja Sako.

Në këtë ditë të veçantë për mësuesit, ministrja Kushi u uroi atyre nga Durrësi: “Gëzuar festën!”, ndërsa vlerësoi faktin se investimet në arsim kanë qenë të shumta vitet e fundit nga qeveria Rama.

Në shkollën e mesme “Dhosi Liperi” po zhvillojnë procesin mësimor 300 nxënës dhe staf pedagogjik në një godinë me standarte evropiane.

Në të gjithë bashkinë e Durrësit, në tre vitet e fundit janë ndërtuar 18 objekte të reja arsimore në kuadër të procesit të rindërtimit, ndërkohë që të tjera janë në proces.