Nga Gëzim KABASHI

Kjo është një nga ato historitë që tregohen në prag të festave, dhe që lexuesit i gjykojnë secili sipas mënyrës së vet.

Një nga dy personazhet tona nuk jeton më, por duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar.

Urimi që jepet në martesën civile apo fetare se “do të jemi së bashku në të mirë e në të keq, deri sa vdekja të na ndajë” në këtë rast ka funksionuar krejtësisht ndryshe.

Ata nuk janë ndarë.
Galipi dhe Jenka kanë jetuar së bashku më shumë se një gjysëm shekulli.

Nuk u lidhën me dashuri, por siç ndodhte shpesh, dikush që thirrej shkesi, u bë shkak për jetën e përbashkët e të lumtur.

Jenka ishte shumë e re dhe shumë e bukur, saqë dora e saj me një trëndafil shëtiti si kartolinë në të gjithë Shqipërinë.

Kur marinari Galip kthehej nga lundrimi, për të mos I shqetësuar të afërmit e saj, e zgjonte të fejuarën që flinte në ballkon me arra e bajame.

Duket si ballkoni I Romeos dhe Zhulietës, por [do dashuri e ka një histori. Kjo e Jenkës dhe Galipit ishte tepër fatlume.

Kur anija ishte larg, dy prindët e rinj i afronte zyra e radios në port.

Shumë vite më vonë kur Jenka desh ta abortojë foshnjen e tretë, Galipi u tha dy fëmijëve tashmë të rritur: “Mama ka në bark një vëlla apo motër tjetër për ju, dhe ne se bashku nuk do ta lejojmë që të ndodhi”.

Dy bashkëshortët rritën tre fëmijë të shëndetshëm e të mirë dhe shkuan ti vizitojnë ata atje ku banojnë, deri në SHBA.

Ata që i njohën thonë se nuk kishin punë të ndara; bënin gjithçka së bashku; megjithëse 10 vjet më I madh në moshë Galipi kujdesej për të shoqen në çdo hap, sikur ta kishte fëmijë.

Jetonin me njeri tjetrin dhe për njeri tjetrin. Por jeta ka të panjohurat dhe të papriturat e veta.

Një javë më parë Jenka, gruaja e gjallë dhe gazmore, ndërroi jetë krejt papritmas.

Galipi e gjeti atë vetëm e të vdekur në shtëpi, siç thanë mjekët si pasojë e një iskemie cerebrale akute.

Ishte larguar vetëm 30 minuta nga shtëpia, dhe nuk qetësohej dot Galipi, pasi siç ripërsëriste mes dënesave: “Nuk i dhashë dot një gotë ujë”.

Galipi e ka të vështirë të mendojë se si do të jetë e ardhmja pa dashurinë e tij. Dhe tani që shtëpia është plot me të afërm, vendimet e tij kanë vetëm një refren:
“Ma ka lënë amanet Jenka që do të bëhet kështu!”

Dy njerëz fatmëdhej, që duket se vazhdojnë të jetojnë së bashku.

Përse e tregova shkurtazi këtë histori?

Sepse çdo ditë dëgjojmë ngjarje të trishtuara dhune në familje, që shkojnë deri në vrasje e vetvrasje.

Sepse ka familje fatkeqe që i rrisin fëmijët nën dhunën verbale e fizike, veçanërisht të baballarëve.

Sepse ka ende gra që mbajnë familjet me punën dhe sakrificën e tyre, e që fatkeqësisht marrin si falenderim vetëm të shara e dhunë fizike.

Ndoshta për këtë u duhet kujtuar se qindra e qindra familje të tjera jetojnë edhe mes vështirësive, por në harmoni e të pandarë si Jenka e Galipi.