17 anëtarë të një organizate shqiptare të trafikimit të lëndëve narkotike janë arrestuar ditën e sotme në 6 shtete të ndryshme të Evropës.

Arrestimi është bërë në kuadër të një operacioni ndërkombëtarë të realizuar që nga dita e martë.

Ky operacion u shtri në Belgjikë, Francë, Holandë, Gjermani, Itali dhe Austri.

Sipas burimeve, 11 prej të arrestuarve janë kapur në Belgjikë, 3 në Itali dhe 3 të tjerë në shtetet e tjera europiane ku u shtrinë kontrollet me qëllim ekstradimin në Belgjikë.

Kërkimet në kuadër të operacionit kanë çuar në kapjen e 100 kg drogë të llojit kokainë dhe amfetaminë, armë zjarri, kimikate, jelek antiplumb dhe 265,000 euro para cash.

Gjithashtu raportohet se anëtarët e organizatës kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin dhe të gjithë vijnë nga Vlora.

Ndër veprimet që i atribuohen organizatës, ka edhe episode të dhunshme të lidhura me kriminelë të përshkruar nga prokurorët belgë si veçanërisht të rrezikshëm dhe të vendosur.

Grupi i trafikantëve të hetuar nga Policia e Antwerp në Belgjikë ishin të specializuar në shpërndarjen e sasive të mëdha të drogës që më pas transportoheshin në vende të ndryshme me mjete të pajisura me hapësira të fshehta. Hetimi nga policia gjyqësore ka të bëjë me një organizatë që mësohet se ishte aktive në importin e kokainës nga Amerika e Jugut dhe pastrimin e parave nga trafiku i kokainës.

Në Belgjikë u bënë 12 kërkime në Antwerp, Schoten dhe Sint-Niklaas. Ato u kryen në bashkëpunim midis policisë gjyqësore federale dhe policisë lokale në Antwerp.