Shakira ka fituar betejën e fundit ligjore në një proces të gjatë me autoritetet tatimore të Spanjës, të cilat tani duhet t’i kthejnë më shumë se 60 milionë euro gjoba dhe penalitete të vendosura padrejtësisht, sipas vendimit të gjykatës.
El Pais shkruan se Dhoma Administrative e Gjykatës Kombëtare të Spanjës ka vendosur në favor të këngëtares kolumbiane, duke anuluar çështjen që e kishte detyruar të paguante rreth 55 milionë euro taksa të prapambetura dhe gjoba. Sipas vendimit, këto shuma duhet të kthehen së bashku me interesat, të cilat arrijnë rreth 9 milionë euro. Pra, rreth 64 milionë euro në total.
Gjykata ka konstatuar se Shakira nuk duhej të konsiderohej rezidente tatimore në Spanjë gjatë vitit 2011. Ky vendim nuk prek çështjen penale për të cilën ajo është dënuar më parë për evazion fiskal në vitet 2012–2014, ku ka pranuar një dënim me kusht dhe një gjobë.
Në një deklaratë publike, artistja e ka cilësuar vendimin si një fitore dhe ka kritikuar ashpër autoritetet tatimore spanjolle, duke thënë se “nuk ka pasur kurrë mashtrim” dhe se nuk është provuar ndryshe.
Ajo ka deklaruar gjithashtu se është trajtuar padrejtësisht për vite me radhë, duke përmendur presionin publik dhe dëmin në jetën e saj personale dhe familjare.
Sipas autoriteteve tatimore spanjolle, Shakira duhej të konsiderohej rezidente në Spanjë që në vitin 2011, por gjykata ka vlerësuar se ajo nuk kishte lidhje të mjaftueshme ligjore me vendin në atë periudhë, pasi nuk kishte bashkim familjar formal dhe pjesën më të madhe të aktivitetit profesional e zhvillonte jashtë Spanjës gjatë turneut të saj botëror.
Gjykata përfundimisht ka vendosur se taksat dhe penalitetet e vendosura janë të paligjshme dhe ka urdhëruar kthimin e shumave të paguara, së bashku me interesat. Megjithatë, vendimi nuk është ende përfundimtar, pasi autoritetet tatimore mund të apelojnë në Gjykatën e Lartë.





