Është shembur paraditen e sotme shkolla 9-vjeçare “Eftali Koçi” në Durrës.

Mjetet e rënda të Inspektoriatit të Mbrojtejes së Territorit kanë shembur godinën, e cila ishte e dëmtuar nga lëkundja sizmike e datës 26 nëntor 2019.

Shkolla në fjalë do të rindërtohet me fondet e Bashkimit Evropian, në kuadër të programit EU4School.

Pak ditë më parë, në një takim me drejtor shkollash, mësues, nxënës, qytetarë të Durrësit dhe arkitektë, kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako tha se shkolla 9-vjeçare “Eftali Koçi”, është e para nga godinat arsimore që do të të rindërtohet me fondet e BE-së.

Gjatë takimit u prezantua edhe projekti i shkollës të re. Deri më tani me fondet e BE-së janë rikonstruktuar në Durrës, shkolla industriale “Hysen Çela” dhe kopështi “1 Qershori”, ndërsa do të rindërtohen 14 godina të tjera mes të cilave, gjimnazet e njohura, “Naim Frashëri”, “Gjergj Kastrioti” dhe “Olsi Lasko”.