Kjo e premte shënoi temperatura rekord në qytetin bregdetar për këtë verë. Termometri u ndal në mesditë në 41°C. ndërkohë që në orën 09.00 shënonte plot 38°C.

Vapës duket se nuk i kanë shpëtuar as vizitorët e përhershëm të sheshit “liria”. Tufat me pëllumba kanë shfrytëzuar shatërvanet e qendrës për të gjetur sadopak freski nga i nxehti përvëlues afrikan.

Ndërkohë, në sheshet dhe rrugët e qytetit vihet re një prani e vogël qytetarësh, pasi thuajse të gjithë evitojnë ekspozimin në diell në këto orë kur vapa shënon pikun e saj.

Siç paralajmëruan edhe sinoptikanët, dita e sotme do të ishte dita më e nxehtë e këtij muaji, me temperatura që në qytete të ndryshme të Shqipërisë mund të arrinin deri në 43°C.

I gjithë vendi ynë do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme dhe të nxehta.

Moti i kthjellët pritet të mbizotërojë në pjesën më të madhe të territorit e vranësira të pakta kalimtare në orët e mesditës përgjatë relieveve malore.