Bordi i OpenAI njoftoi se do të largojë nga detyra e drejtorit ekzekutiv, Sam Altman dhe në vend të tij, do të vendoset përkohësisht Mira Murati.

Sipas deklaratës, Altman nuk ka qenë transparent me stafin duke mos realizuar kështu detyrat që i takonin. Nuk dihet ende për çfarë bëhet fjalë konkretisht.

Mira Murati, drejtuesja teknologjike e kompanisë OpenAI, do të marrë përsipër detyrën e drejtueses ekzekutive të përkohshme, ndërkohë që kompania do të fillojë procesin e gjetjes së një drejtuesi të përhershëm.

“Bordi i drejtorëve të OpenAI, që vepron si organi i përgjithshëm qeverisës për të gjitha aktivitetet e OpenAI, njoftoi sot se Sam Altman do të largohet si CEO dhe do të largohet nga bordi i drejtorëve. Mira Murati, shefe e teknologjisë e kompanisë, do të shërbejë si CEO e përkohshme, me efekt menjëherë,” – thuhej në deklaratë.

OpenAI prodhon programin e inteligjencës artificiale ChatGPT.