Këtë vit të ri shkollor që nis më 11 shtator, shkolla artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës do të hapë për herë të parë dyert e saj për vogëlushët e ciklit parashkollor.

Pranimet në këtë shkollë për klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta bëhen me konkurs, kështu që vitin e ardhshëm sipas drejtorit Dashamir Mehmeti, numri i atyre që do të konkurojnë për t’u pranuar në klasë të parë, do të jetë rreth 60, në ndryshim nga ky vit kur konkurojnë 40 nxënës.

Sipas drejtorit Mehmeti, kjo do të rrisë edhe më shumë mundësitë e stafit akademik për të përzgjedhur konkurentët më të mirë, atë të cilët në të ardhmen mund të jenë talentet më të spikatura në fushën e artit pamor dhe muzikës.

Ditën e premte, në ambientet e shkollës do të zhvillohen konkurset për pranimet e reja, ku nga më shumë se 100 kandidatë në garë do të pranohen në shkollë 90 nxënës.