20 korrik 2015 – Pasi shkon në urgjencën e spitalit të Shkodrës pas mesnatës së të shtunës për të kërkuar ndihmë mjekësore, dhe gjen gjysmën e stafit në gjumë e të papërgatitur, vendos të hakmerret duke shkatërruar çfarë ka mundur nga pajisjet spitalore në dhomën e Urgjencës.

Personazhi i kësaj historie është Saimir Haxhia, një 36-vjeçar nga Shkodra, i cili më pas u arrestua. Sipas bluve të Shkodrës, Haxhia ka qenë në gjendje të dehur, dhe gjatë ndalimit të tij iu gjetën me vete dy kasetofonë të cilët i kishte vjedhur në dy makina në lagjen “Tom Kola”, shkruan ‘Shqiptarja.com’.

Edhe kryeinfermieri Eduart Gjonaj tha se pajisjet e sallës së urgjencës janë thyer nga një pacient narkoman, i cili është paraqitur pranë urgjencës në një gjendje të rënduar, 

“Pacienti ka qenë shumë i axhituar kur është paraqitur në ambientet e brendshme të urgjencës së spitalit. Nga axhitimi i tepërt që ka pasur pacienti, ai ka bërë një rrëmujë përsa i përket aparaturave mjekësore të këtij reparti. Me përgjegjësi morale dhe ligjore deklaroj që nuk ka ndodhur dhe nuk besoj se do të ndodhë që personeli i urgjencës të mos jetë në gjendje gadishmërie”,  u shpreh Gjonaj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/