Anxhela Peristeri është përfaqësuesja e Shqipërisë për këtë vit në “Eurovision” me këngën “Karma”, të cilën ka vendosur ta mbajë në gjuhën shqipe dhe vetëm ka ndryshuar disa detaje të volga nga versioni i parë i saj.

E ftuar në emisionin “Soiree”, këngëtarja ka ndarë emocionet para festivalit dhe detaje sa i përket organizimit. Ajo ka pohuar se përsa i përket performancës, do të bashkëpunojë me koreografen suedeze, Sacha Jean-Baptiste.

Shefi i Delegacionit të Shqipërisë, Kleart Duraj ka theksuar një ndër rregullat kryesore këtë vit të “Eurovision”, ku sipas grupit organizativ ata do të qëndrojnë 13 ditë në Roterdam, por të karantinuar.

“13 ditë atje, të gjitha delegacionet do të jenë të karantinuar. Do të bëjnë testin përpara se të shkojnë ditën tjetër për prova”,– tha Duraj.

Ndërsa Anxhela shtoi se: “Në qoftë se një anëtar i skuadrës tonë sëmuret me kovid, nuk del në skenë. Nuk skualifikohet, por transmetohet live në led”.

Duraj tregoi se në fakt ata e kanë kundërshtuar këtë rregull, pasi këto kufizime janë të tepërta për këngëtarët duke patur parasysh ngarkesën emocionale për performancën e tyre në skenë.