Këtë vit, pandemia i detyroi Golden Globe të heqin dorë nga mbrëmja gala, nga tapeti i kuq dhe nga festa pas ndarjes së çmimeve.

Aktorë dhe aktore kanë pritur kështu rezultatin e nominimeve nga shtëpia. Dikush ësghtë veshur elegant, i gatshëm për një sfilatë në sallon, ndërsa të tjerë, kanë zgjedhur të ndjehen komodë. Jodie Foster psh, e ka pritur cmimin në pizhame, e ulur në divan, duke ndarë fitoren me një puthje, me bashkëshorten, Aleksandrën.

Aktorja 58-vjeçare, ishte në garë me kolege si Glenn Close, Olivia Colman, Amanda Seyfried dhe Helena Zengel, në kategorinë e aktores më të mirë jo protagoniste, për rolin e saj në The Mauritanian. Në filmin e bazuar në një histori të vërtetë ajo interpreton një avokate që mbron një të burgosur në Guantanama. Por duket se aktorja u habit kur u shpall çmimi.

“O Zot i madh, mos është një shaka?” – ka thirrur ajo, e veshur me pizhama, nga divani, përkrah bashkëshortes Aleksandra Hedison. Dhe në entuziazëm e sipër, ka puthur ngrohtësisht bashkëshorten dhe në kuadrin familjar ka hyrë më pas edhe qeni i saj, Zigi. The Mauritanian, është adaptimi kinematografik i kujtimeve të Mohamedou Ould Slahi, i burgosur në Guantanamo nga 2002 në 2016.