Jonida Vokshi ka ndarë një lajm ndryshe ditën e sotme. “Open Door”, filmi ku Jonida luan krahë Luli Bitrit do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 93-të të Oscars.

Vokshi nuk mund të mos emocionohej nga ky lajm, duke postuar kështu disa foto nga filmi.

“Derë e Hapur’ do të prezantojë Shqipërinë në edicionin e 93-të të Oscars! E lumtur që jam pjesë e filmit! Na priftë e mbara grupi!”, ka shkruar Jonida. Filmi përfaqësoi vendin tonë edhe në Festivalin e Filmit në Sarajevë, duke u përfshirë në konkurimin zyrtar. Jonida dhe pjesa tjetër e stafit parakaluan në tapetin e kuq të festivalit, duke ruajtur kështu një kujtim shumë të bukur nga ky prodhim.

Historia e trajtuar në film tregon historinë e dy motrave, një prej të cilave (personazhi që luan Jonida) është kthyer shtatzënë dhe beqare nga Italia. Drama qendron në faktin se vajzat nuk mund të shkojnë në shtëpi tek i ati fanatik, pa gjetur më parë një ‘bashkëshort’ për motrën. Rrugëtimi i tyre përshkruan peisazhe dhe realitetin shqiptar, që e kemi çdo ditë para syve, por vështirë se i kushtojmë vëmendjen e duhur.