Aktori i famshëm Tom Hanks ka folur për gjendjen e tij shëndetësore dhe atë të bashkëshortes, pasi rezultuan rreth 2 javë më parë me koronavirus.

Hanks thotë se ai dhe gruaja e tij, aktorja Rita Wilson, po ndjehen më mirë. Në një postim në Twitter, Hanks ofroi disa këshilla dhe njëherësh tha se vetizolimi funksionon.

“Dy javë pas simptomave tona të para, ne ndjehemi më mirë. Izolimi në një vend funksionin kështu: Ju nuk e infektoni askënd – ju nuk e merrni nga askush. Gjë e ditur, apo jo? Do të kalojë edhe pak kohë, por nëse kujdesemi për veten, të ndihmojmë ku të mundemi edhe kjo do të kalojë, Ne do ia dalim”,– ka shkruar Hanks në postimin e tij.

Në fillim të këtij muaji, Hanks tha që ai dhe gruaja e tij po udhëtonin në Australi kur u testuan pasi shfaqën simptoma si lodhje, dhimbje trupi, të dridhura dhe “ethe të lehta”.