Xhevdet Ferri u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare më 16 janar të këtij viti. Fjalë të ndjera për aktorin dedikoi asokohe vajza e tij, Bora, në rrjetet sociale.

Por, në një postim në Instagram, Bora ka hedhur dyshime se i ati ka patur simptoma të mëhershme të Covid-19. Ajo vetë është infektuar nga koronavirusi, ndaj edhe një nga ndjekësit e ka pyetur lidhur me eksperiencën e saj me sëmundjen. Gjatë përgjigjes, Bora ka shtruar si mundësi se edhe Xhevdet Ferri mund të ketë shfaqur shenjat e virusit para se të ndahej nga jeta.

“Të them të vërtetën nuk i kuptoj këta njerëz të cilët nuk besojnë akoma se ky virus ekziston ose nuk është për debat. Kjo gjë është reale. Unë isha shumë me fat që kam kaluar simptoma të lehta, të cila ishin disa dhimbje shpine dhe ethe. Mamaja ime e kaloi më keq dhe përfundoi në terapi me oksigjen. Kam humbur babain këtë vit, me simptoma të ngjashme me të Covid-19. Ai ishte 59-vjeç dhe një njeri fantastik. Njerëzit janë të lirë të mos besojnë. Unë uroj që asnjë prej të afërmëve të tyre mos ta kalojë këtë gjë. Është e frikshme, e zymtë dhe shumë e dhimbshme”, ka shkruar ajo.