Shtëpia kushton më shtrenjtë në Durrës! Gjatë viteve të fundit, vihet re shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve jo vetëm në zonat më elitare të qytetit, por edhe në vijën e parë apo të dytë të Plazhit.

Një fenomen i ri është dhe interesi i lartë i shtetasve të huaj për të investuar në blerjen e një apartamenti në vendin tonë, apo dhe atyre personave që shpërngulen nga qytete të tjera të Shqipërisë drejt Durrësit.

Florian Tahiri, administrator i agjencisë imobiliare “Mei Smart”, në një intervistë për “DurrësLajm” shpjegon me detaje trendin e ri të tregut imobiliar në Durrës, si dhe ndikimin që pati në rritjen e çmiveve të apartamenteve periudha e posttërmetit dhe procesi i rindërtimit.

Rritje e cmimeve me 10 % – Kërkesa të larta nga italianët, çekët, polakët, rusët e ukrainasit

“Çmimet e tregut kanë pësuar një rritje me 10% nga viti 2020 e tutje, kjo për shkak të kërkesave që kanë pasur qytetarët italianë, çekët e polakët. Ndërkohë që vitin e fundit pas nisjes së luftës në Ukrainë, shohim një numër të lartë nga rusët e ukrainasit që kanë zgjedhur Durresin për të blerë apartamente apo dhe për t’i marrë me qira”, thotë Tahiri.

Vollga zona më e preferuar – Çmimet deri në 1300 euro m²

Zona me kërkesën me të lartë është zona e Vollgës; pastaj vjen qendra e qytetit (nga Vollga deri te Mauzoleumi i Dëshmorëve dhe te Stacioni i Trenit); si edhe Plazhi.

Çmimi në këto zona, nuk varet vetëm nga vendndodhja por edhe nga disa komponentë të tjerë të rëndësishëm shpjegon Tahiri, siç janë: cilësia e ndërtimit, sa kate është pallati, viti i ndërtimit, mirëmbajtja, pajisja me ashensorë, mobilimi e arredimi etj.

“Çmimet e apartamenteve në Vollga variojnë nga 900 – 1100 euro m², ndërsa apartamentet që janë 100 % me pamje ballore nga deti, kanë shkuar deri në 1300 euro m².

E njëjta gjë nddh edhe në Plazh, ku ka filluar një industri e re e turizmit në qytetin tonë nga ana e shtetasve të huaj, që i marrin apartamentet, i mobilojnë dhe i lëshojnë me qira ditore me booking dhe BnB. Ka qenë një bum i madh”, shpjegon administratori i agjencisë imobiliare “Mei Smart”.

“Vollga është numri një. Plazhi vija e parë dhe e dytë ka kërkesë shumë të lartë. Sa më shumë i largohemi detit në zonën e Plazhit, aq më shumë ulet cmimi, ku në këto zona shkon 600 – 700 euro m²; ndërkohë që vija e parë varion nga 900, 1000 deri në 1200 -1300 euro metri katror.

Ndërkaq, zona e qytetit ka një interval çmimesh 800, 900 euro m², deri në 1200 euro m², gjithnjë në varësi të komponentëve që janë shumë të rëndësishëm si cilësia dhe viti i ndërtimit, arredimi etj”.

Kush blen në zonat e shtrenjta në Durrës dhe në zonën e konsideruar si “Mesi i artë”

Kategoritë kryesore që blejnë në këto zona janë të huajt dhe emigrantët. Ndërsa familjet e reja apo çiftet e reja po zgjedhin atë që konsiderohet si “Mesi i artë” i Durrësit (nga zona e pallatit të sportit deri te stadiumi, kryesisht lagjet nr. 5 dhe nr. 6) ku çmimet variojnë 650 – 850 euro m², ndërsa zona përtej stadiumit si Spitalla konsiderohet si zona periferike, ku çmimet janë më të ulëta. Ka gjithashtu ka edhe kërkesa nga qyteti i Elbasanit, banorët e të cilit po shpërngulen drejt qytetit të Durrësit.

Si pritet të ndikojë projekti i “Durrës Yacht & Marinanë çmimet e pasurive të paluajtshme në zonën përreth ku do të ngrihen godinat e Marinës?

“Projekti i “Yacht Marina” i ka dhënë një impuls tregut imobiliar, ku zona e Vollgës, zona e rrugës së Portit dhe e rrugës së Plazhit kanë pësuar një rritje të konsiderueshme me 15 % brenda një viti. Por kjo nuk ndodh vetëm prej projektit, por edhe për shkak të kërkesë – ofertës nga të huajt.

Por pasi të fillojë ndërtimi brenda Marinës, do të shihet realisht reflektimi i çmimeve. Por për sa kohë apartamentet fillojnë nga 1600 – 2500 euro m², nuk mundet që zonat përreth ta tejkalojnë këtë çmim”.

Sipas Florian Tahirit, ndërtimi i Marinës do të jetë një impuls i mirë, që do t’i japë frymëmarrje qytetit tonë.

Zona elitare në Currila me rezidenca luksoze – Çmimet deri në 1500 euro metri katror

Disa rezidenca shumë cilësore janë ndërtuar në Currila, ku variojnë çmimet nga 1300 – 1500 euro m². Te kompleksi “White Hill” apartamentet janë gati totalisht të shitura. Gjithashtu edhe kompleksi tjetër tek ish-Fabrika e Tullave ka shumë kërkesa.

Sipas drejtuesit të “Mei Smart”, është një zonë elitare me cilësi shumë të mirë dhe shumë e preferuar nga të huajt, e cila për të ardhmen e Durrësit pritet të ketë një zhvillim shumë të mirë.

S.L.