Dëshira për të pasur një paraqitje të bukur dhe tendenca për t’iu drejtuar qendrave estetike, duket se nuk u përket më vetëm femrave.

Në Durrës, tashmë meshkujt janë ndër klientët më të shpeshtë të qendrave për kujdesin ndaj vetes.

Në fillimet e mia isha shumë skeptike në këtë pjesë. Kisha frikë të punoja dhe me meshkuj dhe me femra. Jo frikë në sensin se hyn një mashkull në qendër, por a do pritej mirë kjo.

Tashmë pas 6 vitesh kjo ka evoluar shumë dhe meshkujt, ashtu si dhe femrat, mundohen të kujdesen për veten e tyre”, na tregon Afërdita Mehmeti, sipërmarrëse e qendrës estetike “Afërdita Salon & SPA”

Por çfarë preferojnë të trajtojnë meshkujt në qendrat estetike?

“Meshkujt e duan dhe trajtimin e këmbëve, të fytyrës, të trupit. Duan të dobësohen kur shohin se janë pak të shëndetshëm, bëjnë depilime, ashtu si dhe femrat. Normalisht numri është pak më i vogël, por të paktën kemi shkuar në atë pikë që ka kërkesë”, shton ajo.

Duke folur për shërbimet që u duhen, Afërdita thotë se durrsakët pëlqejnë t’i drejtohen zgjidhjeve përfundimtare për shqetësimet e tyre.

“Depilimi me lazer është një trajtim që kërkohet shumë, sepse mund të jetë një nga zgjidhjet kryesore që mund të bësh për veten. Është një shpëtim i përhershëm”, thotë ajo.

K.Gj