Shëtitorja “Taulantia” do t’i nënshtrohet në muajt në vazhdim rikonstruksionit në një segment të saj, më saktësisht duke nisur nga pista për të përfunduar tek Sfinksi.

Në ndërhyrjen që do të financohet nga BERZH planifikohet ndër të tjera ndërtimi i një dallgëthyesi dhe zëvendësimi i bankinës së drunjtë me pergolate betoni me lartësi mbi 2 metra.

Qëllimi i investimit është përmirësimi i aspektit viziv të kësaj hapësire publike, që frekuentohet në masë të madhe nga qytetarët durrsakë, në çdo stinë të vitit.

“Duke bashkëpunuar edhe me arkitektë, edhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kemi paraqitur një projekt të plotë, i cili do të konsistojë në rikonstruksionin total të kësaj shëtitoreje dhe në krijimin e një argjinature mbrojtëse ndaj dallgëve të detit. Projekti, përveç krijimit të pergolateve përfshin edhe sistemimin me ndriçim, me sistem kullimi, me shtresa trotuari etj duke krijuar një zonë atraktive për të gjithë qytetarët e Durrësit”,– bën të ditur për “DurrësLajm” drejtori i planifikimit urban në bashkinë Durrës, Lorenc Facja..

Kjo është ndërhyrja e tretë në shëtitoren “Taulantia” në harkun kohor të 5 viteve të fundit.  

Boom-i turistik që Durrësi ka regjistruar vitet e fundit i ka nxitur autoritetet të hartojnë projekte për ta kthyer qytetin bregdetar në një destinacion gjithëvjetor turistik.

Këtij qëllimi duket se i shkon për shtat edhe investimi që do të realizohet në rrugën “Adria”, për të transformuar hyrjen e qytetit bregdetar dhe për të pajisur këtë aks me të gjithë elementët e nevojshëm të një infrastrukture rrugore me standarte evropiane.

“Rruga “Adria” do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, duke krijuar të gjithë elementët e saj rrugor me korsi biçikletash, korsi për lëvizjen e njerëzve dhe korsi për lëvizjen e mjeteve. Rruga ekzistuese ka vazo betoni në qendër të saj, të cilat do të hiqen dhe në vend të tyre parashikohet një brez i gjelbërt”,- thotë Facja.

Vlera e këtyre dy investimeve publike që do të zbatohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit është rreth 4.5 milionë euro.

M.B.