Pesha e viteve reflektohet më së miri në trupin e tij imcak, që tërheq pas vetes çantën e madhe ku mban veglat e punës dhe vaktet ushqimore. E ka tërhequr pas vetes që nga Çezma e Ferrës nga nis udhëtimin çdo ditë e deri tek shëtitorja  “Taulantia”, që është vendi ku ai ushtron artin e tij.

Shumëkush e njef 76-vjeçarin Jonuz Selimi, artistin që skicon portretet e të panjohurve. Ndërsa nxjerr nga çanta lapsat dhe fletët për të qenë gati për klientin e radhës, syri nuk mund të mos të shkojë tek vaktet ushqimore që ka përgatitur vetë, kosi dhe dy kokrra mollë. Në këtë moshë, kjo është gjithçka që skulptori, i cili dikur gdhente Enver Hoxhën mund t’i sigurojë vetes në pleqëri.

Pak ditë më parë, me deklaratën e tij “Italianët kanë Melonin, që është e vogël, por pensionet i kanë të mëdha, ne kemi Ramën që është i madh, por pensionet i kemi të vogla”, ai u bë viral. Krahas artit të tij, Selimi nuk nguron të flasë edhe për politikën, madje për këtë flet me mjaft mllef.

Që në vitet e para të demokracisë e deri tani ka takuar çdo kryetar bashkie të Durrësit për t’i parashtruar kërkesën e tij, një ambient për studio. Por e vetmja studio që ka marrë është kjo hapësirë e shëtitores, ku i ekspozuar ndaj kushteve atmosferike të stinëve të vitit, vijon të bëjë art.

Ndërsa shikon duart e tij që mbartin shenjat që gdhendjet dhe bojërat kanë lënë në to, dhe trupin që i është përthyer jo aq shumë nga vitet, sesa nga hallet, nuk ke sesi të mos ndjesh keqardhje për këtë artist, që pavarësisht punës këmbëngulëse gjithçka ka fituar është kjo studio e hapur në natyrë!

M.B.