Ditën e sotme, 10 qershor, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë po zhvillohet ceremonia e hapjes së Sesionit të XII-të Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP SEECP).
Gjatë këtij takimi, pati fjalën e saj Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila u shpreh se Shqipëria po ecën me hapa të sigurtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Nesër në 11 Maj në Odesa ndo të mbahet samiti i Europës Lindore-Ukrainë ku vendet tona do të jenë pjesëmarrëse për paqen jo vetëm në rajon por në Europë e më gjerë. Shqipëria po ecën me hapa të sigurt dhe të vendosur drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, dhe konsolidimit të vlerave tona, respektimi i të drejtave të njeriut, modernizimin e sistemit politik, rritja e mirëqenies. Objektivi ynë për të mbyllur negociatat brenda 2027 dhe për tu anëtarësuar brenda vitit 2030, ka gjetur mbështetje të PE dhe KE si dhe po fiton mbështetje nga vendet anëtare. Ndërkohë ne synojmë të hapim të gjitha negociatat brenda 2025. Unë kam besim në mbështetjen e fuqishme të këtij plani edhe nga shtetet anëtare të procesit të bashkëpunimit të Europës Juglindore”, u shpreh Spiropali.
Ndërkohë ndër të tjera Spiropali thekson se Shqipëria ndër vite i ka shërbyer paqes dhe sigurisë. Kryeparlamentarja ka deklaruar se përshpejtimi i ritmeve të integrimit Europian është një stimul edhe për vendet e tjera të rajonit.
“Në takimin që patëm dje në Kuvendin e Shqipërisë, kolegia e nderuar prezente në sallë, Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Nataliya Kiselova e shprehu qartë këtë mbështetje që shpreha mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe timen personalisht. Politika jonë e jashtë është në një linjë me politikën e BE. Shqipëria i ka shërbyer paqes me mandatin e saj të suksesshëm si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar gjatë 2022, 2023, organizimin në Tiranë të Samiti të Europës Juglindore-Ukrainë.
Përshpejtimi i ritmeve të integrimit Europian është një stimul edhe për vendet e tjera të rajonit sepse ne e konsiderojmë procesin si një mekanizëm të fuqishëm që jo vetëm synon të forcojë marrëdhënien, por edhe të nxisë bashkëpunim mes shteteve, por edhe për të bashkërenduar përpjekjet në procesin e integrimit Europian të vendeve tona”, thekson Spiropali.