18 korrik 2015 – Një ditë pas sulmit me armë në zonën e ‘Don Boskos’ në Tiranë, ku mbeti e plagosur 29-vjeçarja Rezarta Laknori, policia e Tiranës arreston këtë të shtunë tre të dyshuar si atentatorë të ngjarjes në fjalë.

Në pranga kanë rënë Kreshnik Budlla, 41 vjeç, Rinald Budlla, 27 vjeç, dhe Alfred Levani, 42 vjeç. Ndërsa në gjendje të lirë po hetohet edhe shtetasi SH. H., 38 vjeç, nga Shijaku, i dënuar më parë për vjedhje me armë.

Tre të arrestuarit janë banues në Tiranë, ndërsa shtetasi SH.H. është banues në Shijak. Këtij të fundit gjatë kontrollit në banesë, i janë gjetur armë gjahu e llojit çifte dhe 24 copë fishekë arme gjahu.

Sipas hetimeve ka rezultuar se një shkëmbim zjarri midis dy grupeve rivale ka qenë shkaku i ngjarjes, e cila fatmirësisht nuk u kthye në tragjedi, pasi plumbat kapën 29 vjeçaren e cila ishte në lokal rastësisht së bashku me foshnjën e saj dhe bashkëshortin duke pirë kafen në lagjen e tyre si çdo ditë.

Në vendin e ngjarjes u sekuestruan gëzhoja, armë zjarri, 1 fishek, armë zjarri e pa goditur, një predhë armë zjarri. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të sulmit.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/