Policia e Fierit njofton se në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit” ka goditur disa raste të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Efektivët shprehen se kanë goditur këtë veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit në tre lokale. Në kuadër të këtij operacioni, janë proceduar penalisht 3 persona dhe një tjetër u shpall në kërkim.

Njoftimi:

Fier/Aksione të përditshme në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për të zbuluar ambiente të përshtatura për lojëra fati.

Zbulohen 3 lokale të tjera të përshtatura për lojëra fati të ndryshme. Për 3 rastet e goditura, procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas dhe vijon puna për kapjen e 1 tjetri.

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, i DVP Fier, nga kontrollet e  vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojrave të fatit, ka konstatuar se në 3 lokale në lagjen “Apollonia”, Fier organizoheshin lojëra fati të ndryshme. Për këto raste:

-u procedua në gjendje të lirë shtetasi L. G., 43 vjeç, pasi u konstatua në lokalin e tij, duke organizuar aktivitetin e jashtëligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet celularëve;

-u procedua në gjendje të lirë shtetasi Xh. V., 30 vjeç, pasi u konstatua në lokalin e tij, duke organizuar lojra fati nëpërmjet celularit;

-u procedua në gjendje të lirë shtetasi N. D., 19 vjeç, banues në fshatin Radostinë, pasi në lokalin ku ai punonte si kamarier, u konstatua duke organizuar veprimtarinë e jashtëligjshme të lojrave të fatit. Gjithashtu, u shpall në kërkim pronari i lokalit, shtetasi Y. J., 38 vjeç. Vijon puna për kapjen e tij.

Gjatë kontrolleve në këto 3 lokale u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 celularë dhe 1 laptop.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.