6 familje në njësinë administrative nr.6 në Durrës protestuan sot para bashkisë Durrës për bonusin e qirasë.

Shtëpitë e tyre nuk janë dëmtuar nga tërmeti, por vendimi për prishjen e tyre erdhi për shkak se aty do të kalojë rruga që të çon në lagjen e re që po ndërtohet në Spitallë.

Megjithëse prej 3 muajsh kanë lënë shtëpitë e tyre, familjeve me shumë anëtarë ende nuk u është lidhur bonusi, që u ishte premtuar që në fillim të muajit gusht.

Sipas banorëve, një nga pretendimet që ngrenë zyrtarët e bashkisë për mos akordimin e bonusit të qirasë është fakti që banesat nuk janë shembur ende.

Njëra nga banoret, në pamundësi ekonomike për të përballuar shpenzimet, kërcënon se nëse nuk u lidhet bonusi do të qëndrojë vetë i 9-të para bashkisë, derisa pushteti vendor t’u zgjidhë hallin.

Vonesat në dhënien e bonusit të qirasë janë një fenomen që shqetëson prej kohësh qytetarët. Aktualisht, 3500 familjet që e përfitojnë atë kanë 3 muaj pa marrë bonusin.

M.B.