Alkool e muzikë, në Durrës jeta e natës është më e gjallë se kurrë.

Me një përzierje të muzikës shqiptare dhe tingujve të hiteve moderne, mbrëmjet në qytetin bregdetar po tërheqin vendasit dhe turistët njësoj.

“Durrësi e ka shumë të rëndësishme jetën e natës, pasi ajo është shumë e preferuar, jo vetëm prej shqiptarëve dhe kosovarëve, por edhe prej të huajve. Ata janë shumë kuriozë të marrin pjesë nëpër festa tradicionale shqiptare, ku ka këngëtarë shqiptarë, sepse u pëlqen alegria dhe këngët tona“, thotë për “DurrësLajm” operatori turistik, Blerim Norja.

Për të rinjtë në moshë, por edhe ata në zemër, Durrësi ka krijuar ambiente për të ofruar shumëçka për të gjithë.

“Më e çuditshmja është se moshat janë nga 20 vjeç deri në 70 vjeç. Madje shumë të huaj, mosha të treta, dalin nëpër ballkone e kërcejnë, se u pëlqen shumë muzika shqiptare“, tregon Norja, ndërsa një vizitor nga Kosova shton “jeta e natës në Durrës është shumë e mirë, çdo gjë është ok. Muzika në veçanti, Shqipëria dhe Kosova muzikën e kanë për qejfi.”

Nisur nga “feedback”-u pozitiv, operatorët turistikë po synojnë ta gjallërojnë gjithnjë e më shumë jetën e natës, si një mundësi e shtuar për argëtim në qytetin, që turizmin e ka motor të ekonomisë.

K.Gj.