Të lodhur prej 4 vitesh pritjeje, durimi u ka sosur 20 familjeve të pallatit nr.21, në lagjen nr.7, të Durrësit.

“Kemi mbetur rrugëve, po vdesim nëpër shtëpitë e huaja. I lutem shtetit të na japë shtëpi, të vdesim në shtëpitë tona!”,- tha njëra nga protestueset.

Prej katër muajsh nuk marrin bonusin, ndërkohë që pavarësisht se shorteu për ndarjen e apartamenteve është zhvilluar 5 javë më parë në bashki, banorët ende nuk kanë marrë në dorëzim çelësat.

Banorët ngrenë pretendimin, se megjithëse punimet në pallatin e rindërtuar në po të njëjtin vend kanë përfunduar prej muajsh, firma nuk e dorëzon godinën, sepse ende nuk është likujduar.

Burime zyrtare nga bashkia bëjnë të ditur se godina 6 katëshe është ende në procedura për t’u marrë në dorëzim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Në Durrës janë 2479 familje që trajtohen ende me bonus qiraje, pasi kanë mbetur të pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

M.B.