Për herë të parë në shërbimin publik shëndetësor në vend, do të kryhet terapia hormonale e personave transgjinorë.
Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë që lejon që në shërbimin publik shëndetësor në vend të kryhet terapia hormonale e personave transgjinorë ka nxitur debate të forta dhe reagime publike ditët e fundit.
Terapia konsiderohet një veprim i nxituar i qeverisë nga imami i xhamisë së madhe të qytetit, Ervin Qylafku, i cili gjatë një prononcimi për “DurrësLajm” thotë se është kundër aplikimit të saj edhe për personat mbi 18 vjeç.
“Imagjinoni një fëmijë i moshës 16-vjeçare të marrin fatin e jetës së tij në dorë. Ky person nuk lidh dot kontratë, nuk mund të marrë dot patentën, nuk merr dot shtëpi me qira se nuk është i aftë ligjërisht. Si mund të marrë vendim për ecurinë e jetës së tij. Është absurde! Prandaj them se është veprim i nxituar i qeverisë shqiptare.
Ne jemi kundër terapisë, qoftë edhe mbi 18 vjeç, sepse ka një strukturë shoqëria, përbëhet nga familja, që përbëhet nga një mashkull, një femër dhe fëmijët. Nëse shpërbëhet struktura atëherë neve nuk do të kemi shoqëri të shëndetshme dhe nuk do të kemi më të ardhme!
Nëse terapia ndikon negativisht tek mashkulli apo tek femra, ne i kemi bërë gropën vetes sonë dhe kemi dëmtuar strukturën shoqërore.”- thotë imami Qylafku.
Kundër urdhrit të ministrisë, protestoi pasditen e së hënës në kryeqytet koalicioni “Pro Familjes” nën moton “Marshim për Jetën”.
Sipas imamit Qylafku, në protestë nuk mungonin edhe besimtarë myslimanë nga Durrësi, ndërkohë që 60-70% e protestuesve ishin të besimit islam.
“Në situata të tilla, kur bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të ardhmen e familjes nuk ka dallime fetare. Qoftë mysliman, i krishterë, hebre, afetarë ne bashkohemi me të gjithë personat që njohin zotin, fenë, familjen, normat shoqërore, pra na bashkon kauza e përbashkët”.
Duke u ndalur tek fakti që sipas urdhrit të Ministrisë, terapia hormonale do të paguhet me taksat e shqiptarë, imami i xhamisë së madhe të Durrësit shtron pyetjen:
“Si ka mundësi që dalin urdhra, të cilat do të aplikohen me taksat tona, me fond publik? Ndërkohë që mentaliteti tradicional shqiptar është familja e shëndetshme. Këtë model që po na ofrohet ne nuk e duam, si ka mundësi që qeveria të japë urdhër pa u konsultuar duke përdorur paratë tona për një model që ne e refuzojmë?”
Çfarë është terapia hormonale për transgjinorët
Ministria e Shëndetësisë ka miratuar për herë të parë një protokoll zyrtar për trajtimin hormonal të personave transgjinorë, duke e futur këtë shërbim në sistemin publik shëndetësor në Shqipëri. Urdhri përcakton kriteret mjekësore, procedurat klinike dhe mënyrën e monitorimit për tranzicionin hormonal që do të kryhet në shërbimin e endokrinologjisë në QSUT.
Trajtimi do të jetë i aksesueshëm për burrat transgjinorë që kalojnë nga vajzë në burrë përmes hormonit të testosteronit, si dhe për gratë transgjinore që kalojnë nga burrë në grua përmes estrogjenit dhe anti-androgjenëve.
Si rregull, terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta, dhe vetëm me vlerësim të specializuar, mund të konsiderohet edhe nga mosha 14 vjeç.
M.B.





