Teuta deri në fillim të korrikut do të jetë e konsoliduar. Klubi do të jetë tepër aktiv në merkaton e transferimeve, teksa do të afrojë disa lojtarë cilësorë. Trajneri Martini dhe drejtuesit e klubit kanë kohën e duhur për të bërë afrime për të kompletuar skuadrën për sezonin e ri. Me boshtin që ka Vata, Jazxhi, Beqja, Gjini, Peposhi, Lloci, Daci etj, trajneri Martini do të mundohet të formojë ekipin deri para se të nisin përgatitjet për sezonin e ri.

Durrsakët do jenë në kërkim të lojtarëve të kalibrit të lartë, qoftë edhe me ndonjë mbrojtës krahu ose mesfushor. Nga ana tjetër, pavarësisht se ka role të dubluara në skuadër, do të tentohen të tjerë emra për të forcuar ekipin. Pritet që dhe lojtarë të tjerë, të cilëve u ka skaduar kontrata, të ulen “kokë më kokë” me drejtuesit e klubit për të biseduar rreth të ardhmes dhe rinovimit të tyre. Bëhet fjalë për ata futbollistë, për të cilët trajneri Martini i ka në planet e veta edhe për sezonin e ardhshëm.