Trofeu i parë i sezonit shkon për Teutën, kampionen në fuqi në Shqipëri. Ndeshja e parë e sezonit të ri për futbollin tonë, nuk zhgënjeu aspak teksa në “Elbasan Arena” në prani të afro 3 mijë tifozëve, Teuta mundi 3-0 Vllazninë për të fituar për here të dytë radhazi dhe po kaq here në histori, Superkupën e Shqipërisë.

Për t’u theksuar që për herë të parë në futbollin shqiptar, u përdor teknologjia në fushë, sistemi VAR dhe në disa raste dha vendime të drejta.

Me të dyja skuadrat që kanë ndryshuar pothuajse 50% të lojtarëve nga sezoni i kaluar, me mbështetjen edhe të tifozëve të tyre të dyja skuadrat e nisin vrullshëm teksa Jonuzi me një gjuajtje në 3’ vë në provë portierin e Teutës. Vetëm 5 minuta më pas, durrsakët përgjigjen me të njëjtën monedhë kur Daja godet por Zogoviç e devijon topin jashtë portës.

Sërish Teuta me Georgiev në 9’ dhe me Plakun në 24’ u treguan të rrezikshëm por të pasaktë përpara portës.

Rasti më i mirë për Vllazninë vjen në 32’ kur Liridon Latifi depërton në zone dhe në momentin kur do të gjuante në portë, Selmani ia heq topin nga këmbët.

Pjesa e dytë nisi tepër e luftuar dhe në 56’ vjen edhe avantazhi për Teutën që në fakt ishte një gafë e rëndë e portierit Zogoviç të cilit një gjuajtje pa pretendime nga Aleksi, i ikën nga duart duke përfunduar në rrjetë.

Kur pritej një reagim nga Vllaznia, është sërish Teuta që jep një goditje të forte kur në 62’, Gruda që merr një top nga Gurishta, shmangu Zogociç dhe dyfishoi rezultatin.

Shkodranët e kanë të vështirë dhe gjithsesi hidhen në sulm, krijojnë raste dhe në 84’ gjejnë golin që më pas anulohet dhe sistemi VAR e konfirmon.

Në sekondat e fundit kur të gjithë lojtarët e Vllaznisë ishin në sulm, Sebino Plaku arrin të gjejë goline tretë dhe të nokautit për këtë ndeshje.

Kështu, Teuta për here të dytë në histori fiton Superkupën e Shqipërisë.