Teuta është fituese e Superkupës së Shqipërisë për vitin 2022 në basketboll për meshkuj. Durrsakët mposhtën Tiranën me rezultatin 84-80 në finalen e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”, në një takim të bukur, me të dyja ekipet që luftuan deri në fund. Bregdetarët e Melzin Lazimit e bënë diferencën në periodën e fundit, duke realizuar edhe përmbysjen. Vendimtare në këtë takim rezultuan edhe pikët nga pankina, 21 për durrsakët dhe vetëm 5 për bardheblutë e Erkand Karajit. Ky ishte trofeu i katërt në histori për Teutën, suksese këto që kanë ardhur të gjitha radhazi që prej vitit 2018, duke konfirmuar rolin e protagonistes absolute që bregdetarët kanë pasur gjatë sezoneve të fundit në basketbollin shqiptar.

Ashtu sikurse edhe parashikohej, finalja rezultoi me rivalitet të lartë dhe kjo u pa qartë që në periodën e parë, 10-minutësh që u fitua nga Teuta 18-16. Tirana reagoi në çerekun e dytë, të cilin e fitoi 18-20, ndërsa ekipet shkuan në pushimin mes dy pjesëve në shifra të barabarta 36-36. Perioda e tretë ishte më e mirë për kryeqytetasit, të cilët fituan 14-20 dhe morën kryesimin 50-56 pas 30 minutash. Bardheblutë thelluan në +8 në startin e periodës së katërt, por vetëm kaq, pasi më tej kampionët në fuqi të Shqipërisë nisën ofensivën. Kështu, Teuta bën një periodë të katërt fantastike në sulm, duke fituar 34-24, për të realizuar përmbysjen e madhe, duke mbyllur të gjithë sfidën me +4 pikë avantazh. Më pas ishte radha e festës, me kapitenin Kristi Gorea që ngriti lart një tjetër trofe dhe me Teutën që e mbyll vitin në mënyrën më të mirë.

Trajneri i Teutës mendon se ekipi i tij arriti të fitojë falë forcës së karakterit. “Kjo ishte prova jonë e parë për një trofe. Në këtë finale mosha e re dhe emocionet na dëmtuan disi, por jam i lumtur, pasi po këta djem falë forcës së tyre të karakterit, arritën të kthenin gjithçka. Përballë kishim një ekip shumë të mirë, që na vendosi në vështirësi serioze. Kjo nuk ishte Teuta më e mirë e mundshme, pasi kemi nevojë për më shumë punë dhe për t’u përmirësuar në çdo drejtim. Kemi një fazë të gjatë përgatitore përpara, ndaj them se forcën e vërtetë të Teutës do ta shikoni në fazën e dytë. Asgjë nuk do të jetë e lehtë, pasi në kampionat ekipe si Tirana, Besëlidhja apo ndonjë ekip tjetër do të kërkojnë të thonë fjalën e tyre”.

Kapiteni i durrsakëve thekson se përtej mungesës së eksperiencës, Teuta vazhdon të mbetet ekipi për t’u mundur.

“Shumë prej lojtarëve tanë e kishin finalen e parë, ndaj edhe ishin të emocionuar. Në disa raste kjo ndikoi për keq, por sidoqoftë asnjëherë nuk e humbëm dhe me pak fat e kthyem ndeshjen ashtu siç donim. Tirana ka disa lojtarë vërtetë të mirë, gjithashtu edhe ne, por fryma, organizimi, cilësitë dhe përqendrimi ynë na e kthyen situatën në favor. Objektivi i parë sezonal u arrit dhe kjo na bën të lumtur. Të shohim në kampionat pasi mbetemi ekipi për t’u mundur. Gjithçka është e hapur dhe të gjitha ekipet pjesëmarrëse kanë pretendime maksimale. Para kemi edhe merkaton e janarit dhe gjithçka mund të ndryshojë”, deklaroi Gorea.