Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, me dy humbje përballë moldavëve të Sheriff Tiraspol, Teuta zhgënjeu edhe në ndeshjen e parë të Conference League, pasi u mposht 0-2 nga Inter D’Esclades brenda në “Niko Dovana”.
Në një sfidë ku durrsakët ishin dukshëm favoritë jo vetëm për të fituar, por edhe për të kaluar turin, zhgënjyen totalisht, duke nxjerrë dy herë topin nga rrjeta dhe për më tepër, duke mos provuar ende shijen e golit në Europë, ndonëse cilësia në sulm nuk mungon.
Durrsakët e nisën mjaft mirë sfidën dhe provuan të zhvendosin lojën në gjysmëfushën kundërshtare, teksa në minutën e 15’ ishte sulmuesi kryesor Taulant Seferi që “flirtoi” me golin, por goditja e tij me të majtën ishte e dobët dhe topi përfundoi jashtë.
Miqtë fitojnë konfidencën me kalimin e minutave dhe në minutën e 23-të i shkojnë shumë pranë golit, por sulmuesi i tyre godet keq dhe dërgon topin pak centimetra jashtë portës së mbrojtur nga Stivi Frashëri.
Emiljano Vila në minutën e 27’ dhe Taulant Seferi në të 30-ën kërcënojnë sërish për Teutën, por të dy gabojnë në finalizim dhe nuk arrijnë të dërgojnë topin në rrjetën e modestëve nga Andorra.
Në momentin më të mirë të Teutës, Inter D’Esclades zbret në një kundërsulm të shpejtë dhe topi përfundon te sulmuesi spanjoll Soldevila, i cili i vetëm me portierin Frashëri, gjuan saktë dhe dërgon topin në rrjetë, kur kronometri tregonte minutën e 37’.
Pjesa e parë përfundoi me avantazhin minimal të miqve nga Andorra, të cilët në minutën e 57’ ia dolën të gjejnë edhe golin e dytë, teksa protagonist ishte sërish sulmuesi spanjoll Soldevila, i cili mposhti për herë të dytë Frashërin.
Ky gol shpërqendroi totalisht durrsakët, që e kishin të vështirë tashmë të organizonin manovrën sulmuese, ndërsa në minutën e 81-të miqtë nga Andorra i shkuan pranë edhe golit të tretë, por traversa erdhi në ndihmë të bregdetarëve, duke kthyer mbrapsht topin.
Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar, me Inter D’Esclades që u largua nga Durrësi me triumfin 0-2 dhe me një këmbë në turin tjetër, ndërsa Teuta dhuroi një tjetër performancë zhgënjyese, pasi humbi ndeshjen e tretë radhazi në Europë.
Ndonëse shorti në Conference League u tregua shumë bujar me bregdetarët, duke u vënë përballë një kundërshtar gjysmë-profesionist, djemtë e Edi Martinit e shpërdoruan këtë mundësi