Eliminimi nga Kupa djeg, por Teuta duhet të ngrejë kokën dhe të reagojë ndaj Partizanit. Kjo shihet si e vetmja mënyrë për të harruar zhgënjimin e eliminimit nga Kupa, të fitojë menjëherë ndaj Partizanit të dielën në kampionat. Durrsakët i pret një ndeshje e vështirë. Ekipi tanimë duhet të jetë i fokusuar që të arrijë të përballet në mënyrën e duhur që nga fillimi. Durrsakët duhet të bëjnë edhe pa disa prej lojtarëve kryesorë.

Vila ka rifilluar stërvitjen, por mbetet i padisponueshëm për ndeshjen radhës. Ai nuk është i vetmi, pasi në ndeshjen e radhës do të mungojnë edhe dy prej lojtarëve kryesorë, Lloci dhe Marku. Kjo dyshe janë të pezulluar me kartonë dhe do të duhet ta ndjekin nga tribunat ndeshjen e radhës.Këto mungesa i shtojnë Martinit “dhimbjet e kokës”, por trajnerin shkodran shpreson shumë se deri ditën e ndeshjes të ketë të gatshëm të paktën liderin e bluve, Artan Jazxhi.

Ai mungoi ndaj Elbasanit për shkak të temperaturës së lartë, ndërsa ndaj Partizanit shpresohet të marrë sërish në dorë “çelësat” e mbrojtjes së Teutës. Do të ishte një rikthim i rëndësishëm një nga ndeshjet më delikate të sezonit, e cila premton të jetë e luftuar deri në sekondën e fundit. Megjithatë, Martini e ka një ngushëllim, pasi në këtë sfidë do të kthehet mesfushori Muço Boçi, i cili gjithashtu ishte me gjendje gripale.

Boçi është një lojtar që i jep tjetër ritëm në mesfushë së bashku me pjesën tjetër, çka do të thotë se Martini mund të jetë pak më i qetë. Boçi njihet si një lojtar, që përveç shpejtësisë, është mesfushor, i cili mund të luajë shumë mirë edhe detyrat “e pista” që kërkon trajneri. Teuta është në një moment të vështirë, ku kërkon të hedhë pas eliminimin nga Kupa, por më së shumti kërkon të qëndrojë në pjesën e sipërme të renditjes për të mos u futur në “vorbullën” e mbijetesës.